Dega e AAK-së e qytetit të lindjes së Kampiones, Majlinda Kelmendi, Pejës, ka reaguar ashpër ndaj mos-organizimit institucional nga komuna, për përcjelljen e garës së mbrëmshme në ekranin e madh dhe për mos organizimin e asnjë aktiviteti festiv.
AAK në Pejë, ka falënderuar qytetarët për vetorganizim të festës, ndërsa ka akuzuar kryetarin e Komunës, Gazmend Muhaxherin dhe drejtorin e Kulturës, Zefaj, siç thuhet nga ky subjekt, për mosveprim dhe kujdes institucional ndaj këtij momenti kulminant sportiv, me përmasa botërore.
Ja reagimi i plotë i degës së AAK-së në Pejë:
“Falëmnderit super-kampionja jonë Majlinda Kelmendi, falëmnderit selektor Driton Kuka. Falëmnderit për të gjitha sukseset, emocionet, lotët dhe historinë që na e sollët. Falëmnderit qytetarë të Pejës për vetorganizimin e festës së mbrëmshme.
Pa dashur të shfrytëzojmë këtë moment historik, këtë sukses botëror sportiv, si ndërlidhje me politikën, dega e AAK-së në Pejë shprehë indinjatën e thellë ndaj turpit që ndodhi mbrëmë në qytetin e lindjes së kampionëve tonë, Majlindes dhe Tonit.
Asnjë organizim, asnjë përcjellje e festës, asnjë mobilizim nga ana e institucioneve komunale, Kryetarit, Drejtorisë së Kulturës, rinisë dhe Sportit.
Një moment për të cilin po shkruan e tërë Bota, një histori suksesi botëror për Kosovën, e cila filloi dhe u ndërtua në zemër të Pejës, në ‘Asllan Çeshme’, nuk u shënua sonte, në qytetin e Majlindës dhe Tonit, nga ana e institucioneve! Turp! Andaj themi na ‘fal’ Majlinda! Na ‘fal’ Driton!
Po mos të ishin qytetarët me emocionet e pakursyera Peja sonte do ishte në terr.
AAK e dënon fuqishëm këtë (mos)veprim të Komunës, këtë heshtje ndaj këtij suksesi.
Dega e AAK-së siguron qytetarët e Pejës, anëtarësinë e gjërë dhe simpatizantët dhe sportistët se fuqishëm po punon për të larguar sa më parë nga institucionet lokale këtë keq-qeverisje” (sic) thuhet në reagimin e AAK-së. /Telegrafi/