Telegrafi

Ukraina tha se ka rrëzuar gjysmën e raketave të lëshuara të hënën nga Rusia në drejtim të Kievit

Nga sulmet ruse në Ukrainë, përkatësisht në kryeqytetin Kiev është raportuar për disa të vrarë dhe disa të tjerë të plagosur.

Veç kësaj, është raportuar se disa makina ishin përfshirë nga flakët pas sulmit fillestar – si dhe dëme të shumta materiale.

Shpërthime janë vërejtur në disa qytete të tjera të Ukrainës, por numri i të vdekurve dhe të plagosurve në vende të tjera mbetet i paqartë.

Ndryshe, deri të hënën, kryeqyteti ukrainas kishte kaluar disa muaj relativisht të qetë.

Ndërkohë, siç ishte raportuar të hënën, të paktën 75 raketa janë lëshuar në sulmet e vazhdueshme të mëngjesit, ka thënë shefi i ushtrisë ukrainase.

Në një postim në Twitter, gjenerali Valerii Zaluzhnyi tha se 41 prej tyre u qëlluan nga Forcat e Armatosura të Ukrainës.

Ai tha: “Vendi terrorist kryen sulme raketore dhe ajrore në territor”.

“Në mëngjes u lëshuan 75 raketa, 41 prej tyre u neutralizuan nga mbrojtja jonë ajrore”.

“Forcat e Armatosura bëjnë gjithçka për të mbrojtur bashkëqytetarët, por sulmi armik vazhdon”.

“I bëj thirrje të gjithëve të qëndrojnë në strehimore!”. /Telegrafi/