Banorët e zonës “5 maji” në Tiranë kanë kundërshtuar sot aksionin e shembjes së shtëpive të tyre nga Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për t’i hapur rrugë zhvillimit të një projekti të madh ndërtimesh në kuadër të programit të rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019.
5 efektivë të Policisë së Shtetit dhe 3 punonjës të Policisë Bashkiake janë lënduar gjatë përplasjeve me banorët e zonës.
Policia bën me dije se efektivët kanë marrë dëmtime nga sende të forta dhe lëndë djegëse dhe ndodhen në Spitalin e Traumës në Tiranë duke marrë ndihmën mjekësore.
Policia e Tiranës ka njoftuar gjithashtu se ka arrestuar disa persona në protestë.
Mëngjesin e sotëm pati përplasje mes banorëve të zonës së “5 majit” dhe policisë për shembjen e banesave. Për të shpërndarë turmën policia hodhi gaz lotsjellës dhe një protestues humbi ndjenjat.
Një pjesë e banorëve vazhdojnë të kundërshtojnë projektin duke akuzuar qeverinë se nuk i ka marrë parasysh pretendimet dhe kërkesat e tyre.
Opozita e konsideron projektin të paligjshëm dhe mbështet kërkesat e banorëve.
Projekti i qeverisë parashikon ndërtimin e një zone të re banimi me njësi tregtare dhe shërbime të nevojshme për komunitetin. /Telegrafi/