Site icon Telegrafi

8.3 milionë euro grant për 11 komuna, nga 17 mijë deri në 1.7 milion – këto janë shumat që përfituan

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal të premten ka nënshkruar Grantin e performancës komunale në vlerë prej 8.3 milionë euro me 11 komuna.

Komunat përfituese të grantit janë Peja, Rahoveci, Obiliqi, Skenderaj, Suhareka, Kaçaniku, Shtimja, Malisheva, Dragashi, Ranillugu, Parteshi.

Nga ky grant, 4 milionë euro janë ndarë nga Qeveria e Kosovës, ndërkaq pjesa tjetër është bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian, Zvicra, Suedia, Norvegjia, shkruan Telegrafi.

Për të përfituar nga Granti i Performancës Komunale (GPK) i vitit 2024 komunat duhej t’i përmbushin 4 kushte minimale: komunat duhej të kenë raportuar të dhënat në SMPK sipas afatit të përcaktuar në neni 19.2 të Ligjit për SMPK/GPK; të kenë respektuar obligimin ligjor për të rishqyrtuar aktet komunale të vlerësuara si të kundërligjshme nga autoriteti mbikëqyrës; opinioni i auditimit duhet të jetë të paktën i pamodifikuar me theksim të çështjes dhe komunat duhet të kenë shpenzuar 75% ose më tepër të buxhetit final për investime kapitale.

Komunat që nuk kanë plotësuar një nga kushtet minimale të lartpërmendura nuk mund të marrin grant të performancës komunale, pavarësisht pikëve të tyre në treguesit e performancës.

Për të gjitha komunat që kanë plotësuar kushtet minimale, granti i performancës komunale që merr secila komunë bazohet në pikët e saj relative të arritura në 29 treguesit e performancës.

Performanca ka pasur të bëjë me qeverisjen demokratike, menaxhimi komunal, ofrimin e shërbimeve, planifikimin hapësinor, transportin publik, kujdesin parësor shëndetësor, etj.

Por, nga 38 komuna sa prej tyre i kanë përmbushur kushtet minimale?

Sipas raportit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal nga 38 komunat e vlerësuara 11 komuna i kanë përmbushur katër kushtet minimale dhe janë kualifikuar për grant të performancës komunale për vitin 2024.

Kjo do të thotë që 28.95 % e komunave në Kosovë do të jenë komuna përfituese  të grantit të performancës komunale në vitin 2024.

Komuna me performancën më të lartë në 29 treguesit e performancës së vitit 2022 është Komuna e Lipjanit. Rezultati i përgjithshëm i performancës së Komunës së Lipjanit është 75 nga 96 pikë të mundshme 78.13%).

Ndërsa nga komunat përfituese me performancë më të lartë është Komuna e Rahovecit me 74 pikë (77,08%).

Komunat me performancë më të ulët janë komuna e Parteshit dhe Ranillugut (të dy komuna përfituese të GPK 2024), duke mos marrë parasysh komunat që nuk kanë raportuar.

Rezultatet e vlerësimit tregojnë se vetëm 11 nga 38 komunat e vlerësuara kanë zbatuar një sistem të shëndoshë të menaxhimit të financave komunale gjatë vitit 2022, sipas kushteve minimale të përcaktuara në grantin e performancës komunale. Këto 11 komuna janë kualifikuar për grantin e performancës komunale që do të transferohet tek komunat në vitin 2024.

Sa është shuma e grantit për secilën komun përfituese?

Shuma e grantit që komunat do të marrin në vitin 2024 varion nga 17,505.12 euro  deri në 1,752,397.65 euro.

Siç potencohet në raport, granti i performancës komunale për vitin 2024 në shumën e përgjithshme 8,321,874.00 euro do t’u ndahet 11 komunave të cilat i kanë përmbushur të katër kushtet minimale.

Lartësia e grantit për secilën komunë është përcaktuar nga performanca e tyre në krahasim me performancën e komunave të tjera përfituese si dhe nga pesha e grantit të performancës komunale në grantin e përgjithshëm të alokuar për vitin 2024.

Gjithashtu për tri komunat me performancën më të mirë është përcaktuar vlera e shpërblimit sipas rregullave të GPK.

Peja është komuna që ka përfituar më së shumti nga granti, me 1.7 milion euro, ndërkaq Parteshi është komuna që ka përfituar më së paku, 17,505.12.

Më poshtë mund t’i shikoni vlerën e mjeteve që kanë përfituar

Peja – 1,752,397.65

Rahoveci – 1,644,744.78

Obiliqi – 707,119.98

Skenderaj – 1,161,321.36

Suhareka – 1,065,446.34

Kaçaniku – 552,104.38

Shtime – 396,950.13

Malisheva – 628,551.69

Dragashi – 361,989.39

Ranillugu – 33,743.17

Parteshi – 17,505.12 ./Telegrafi/

 

Exit mobile version