Site icon Telegrafi

Me 750 gramë kokainë në çantë, arrestohen dy persona në Tiranë

Policia e Shqipërisë ka finalizuar operacionin e koduar “Packed”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, ku ka sekuestruar 750 gramë kokainë dhe ka arrestuar dy persona në Tiranë.   

Policia po ashtu ka sekuestruar tri aparate celulare.

Në flagrancë janë arrestuar A. (M). B., 59 vjeç, dhe I. R., 63 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë kontrollit të çantës së paketimit që mbante me vete shtetasi I. R., iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë rreth 750 gramë.

Nga verifikimet rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi siguronin lëndën narkotike kokainë, e ndanin atë në doza, të cilat i shisnin më pas në rrugën “5 Maji”, në zonën e quajtur “Xhamlliku” dhe në zonën e Selvisë, në Tiranë.

Në njoftim thuhet se Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale. /Telegrafi/

Exit mobile version