Telegrafi

75 vjetori i NATO-s, Blinken: Ukraina do t’i bashkohet aleancës

Samiti që shënonte ditëlindjen e aleancës më të madhe ushtarake u shfrytëzua edhe për të rikonfirmuar mbështetjen e vendeve anëtare për Ukrainën.

Në konferencën e 75 vjetorit të NATO-s, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Ukraina do t’i bashkohet aleancës dhe se qëllimi i samitit ishte të punonin drejt këtij anëtarësimi.

Bëhet e ditur se gjatë takimit, vendet anëtare vlerësuan vendosmërinë dhe rezistencën e ukrainasve dhe premtuan se do të vazhdojnë të ofrojnë ndihmë për vendin.

Megjithatë, Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, pohoi se NATO nuk e konsideron veten si të përfshirë drejtpërdrejtë në luftë, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

“Ne nuk kemi asnjë plan për të dërguar trupa në Ukrainë”, tha Stoltenberg.

“Ukrainasit po kërkojnë pajisje, municion, armë, dhe ne po ia ofrojmë. Kjo nuk i bën aleatët e NATO-s palë në konflikt, por ne mbështesim Ukrainën në mbrojtjen e së drejtës për vetëmbrojtje”, shtoi Sekretari i Përgjithshëm.

Ndryshe, Ukraina ka ulur moshën e rekrutimit ushtarak nga 27 në 25 në një përpjekje për të rimbushur radhët e ushtrisë.

“Nuk doja të prishja festën e NATO-s, por u ndjeva i detyruar të jepja një mesazh në emër të ukrainasve për gjendjen e vendit tim, sistemit të shkatërruar energjetik, ekonomisë sonë dhe numrit të madh të viktimave civile”, tha Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, i cili ishte pjesë e takimit NATO-Ukrainë. /Telegrafi/