Site icon Telegrafi

38-vjeçari në kërkim ndërkombëtar arrestohet në Shkodër, pritet ekstradimi në Itali

Një 38-vjeçar me inicialet A.N. i shpallur në kërkim ndërkombëtar për grabitje me armë dhe plagosje është kapur këtë të martë në Shkodër në kuadër të operacionit “Xhabija”.

Sipas informacioneve ai ishte shpallur në kërkim nga Gjykata e Triestes, Itali dhe pritet që të ekstradohet së shpejti.

“Në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes DVP Shkodër dhe Interpol Tirana, u organizua operacioni policor i koduar “Xhabija”, për kapjen e shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Gjatë operacionit, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në lagjen “Xhabije’’, Shkodër, kapën dhe arrestuan me qëllim ekstradimin drejt Italisë, shtetasin:

– A. N., 38 vjeç, banues në Velipojë, Shkodër.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Triestes, Itali, më datë 08.05.2023, ka lëshuar urdhrin e arrestit për veprat penale “Grabitja me armë” dhe “Plagosja”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë”,-thuhet në njoftimin e policisë.

Exit mobile version