Ka përfunduar seanca gjyqësore ndaj aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqit, Adea Batushes, Atdhe Arifit dhe Egzon Halitit.
Të lartpërmendurit nuk kanë pranuar fajësinë për veprën “Kryerja e veprës penale terroriste të Kodit Penal të Kosovës”.
Avokatët mbrojtës të të akuzuarve kanë kërkuar ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak për pesë aktivistët e VV-së, duke thënë se akuza ndaj tyre duhet të hidhet si e pabazë, transmeton Telegrafi.
Ndërkaq, prokurori i Prokurorisë Speciale, Abdurrahim Islami ka thënë se propozimet e avokatëve mbrojtës janë të pa qëndrueshme kur bëhet fjalë për elaborimin e provave mbi të cilat është e bazuar kjo aktakuzë.
Tutje prokurori ka theksuar se edhe pse propozimi ishte për zëvendësimin e masës së arrestit shtëpiak, dikush e shfrytëzoi rastin për fjalë e dikush për prononcime politike për mashtrim të opinionit.
“As 1% e përmbajtjes së aktakuzës nuk është politike”, ka thënë prokurori.
Në anën tjetër, gjyqtari Beqir Kalludra ka refuzuar kërkesën e mbrojtësve dhe e ka arsyetuar atë pikërisht për faktin se para pak ditësh është marrë vendimi për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak dhe mbrojtësit kanë ushtruar ankesë dhe pritet vendimi i Gjykatës së Apelit.
Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 30 mars në orën 13:00. /Telegrafi/