Gjykata Themelore në Ferizaj ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh Qëndrim Januzit, i dyshuar për vrasjen e 30-vjeçarit në Ferizaj.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari.
Ai tha se Januzi po e mban paraburgimin në spital ku edhe është duke u trajtuar.
“Atij i është caktuar masa e paraburgimit 30 ditë, për momentin është në spital, masën e mban në spital dhe ruhet nga policia, në momentin kur shërohet plotësisht transferohet në Qendrën e Paraburgimit”, deklaroi Jashari.
Qyteti i Ferizajt është tronditur nga një ngjarje tragjike që ndodhi të premten pas mesnate, ku nga të shtënat me armë ka mbetur i vdekur një person dhe një tjetër është plagosur. Viktima 30-vjeç Gazmend Hyseni, u qëllua me armë nga i dyshuari Qëndrim Januzi, i cili ka mbetur i plagosur.
Sipas raportit të policisë, i dyshuari për vrasjen e 30-vjeçarit, është plagosur nga një zyrtar policor në detyrë i cili ishte me rroba civile dhe ka intervenuar në momentin kur ka ndodhur vrasja.
“I dyshuari mashkull kosovar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës mashkull kosovar, i cili ka mbetur i vdekur. Një zyrtar policor në detyrë në rroba civile ka intervenuar dhe ka shtënë në drejtim të dyshuarit, ku i njëjti është plagosur”, thuhet në raport. /Telegrafi/