Site icon Telegrafi

30 ditë paraburgim për pesë të arrestuarit pas aksionit kundër kontrabandës në veri

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special u ka caktuar 30 ditë paraburgim pesë të dyshuarve për “Pjesëmarrje ose Organizim i Grupit Kriminal të Organizuar”, “Kontrabandim me mallra”, të arrestuar pas aksionit të Policisë në veri.

Në njoftim thuhet se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në çështjen penale kundër të pandehurve I.Z., R.K., A.K., A.D., dhe M.D.,  për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose Organizimi i grupit Kriminal të Organizuar”, “Kontrabandim me mallra” dhe “Shmangie nga tatimi” si dhe veprës penale “Tregtia e ndaluar”.

Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve I.Z., R.K., A.K., A.D., dhe M.D e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, për secilin veç e veç.

Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Ndryshe, gjuajtje të drejtpërdrejta me armë zjarri, hedhje e bombolave të gazit, granata luftarake janë përdorur të mërkurën nga grupe kriminale të organizuar në veri të Kosovës për të sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës e Doganës, dhe gazetarët me qëllim që t’i pengojnë në kryerjen e detyrës së tyre.

Tensione pati pas një operacioni të Policisë së Kosovës e Doganës kundër kontrabandës, që u realizua në katër rajone: Prishtinë, Pejë, Mitrovicë Jugu dhe Mitrovicë Veriore.

Por, në Mitrovicën veriore situata u tensionua shumë, duke lënë kështu 10 policë të lënduar.

Në lidhje me këtë ishin shoqëruar në polici tetë të dyshuar meshkuj të cilët pas intervistimit me vendim të prokurorit pesë meshkuj kosovarë janë dërguar në mbajtje, ndërsa tre të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt. /Telegrafi/

Exit mobile version