Radio Dukagjini sot shënon 25 vjetorin e themelimit. E në këtë përvjetorë përveç urimeve nga dëgjues të shumtë, stafin e Radio Dukagjinit e ka uruar edhe presidentja Vjosa Osmani dhe ambasadori amerikan Jeff Hovenier.
Përmes një video mesazhi e para e vendit ka thënë se vlerëson përkushtimin e të gjithë atyre që kontribuojnë për të vërtetën.
Në video urimin e saj, Osmani ndër të tjera thotë “U dëgjoftë edhe për shumë vjet të tjera zëri i Radio Dukagjinit”.
“Në 25 vjetorin e “Radio Dukagjinit” vlerësoj përkushtimin e palodhur të të gjithë atyre që kontribuojnë për të vërtetën. E vërteta është mision i yni dhe mision i juaji. Le të mobilizohemi të gjithë dhe të jemi vigjilent për ta mbrojtur integritetin e informacionit dhe integritetin e shoqërisë sonë. Urime dhe suksese të gjithëve. U dëgjoftë edhe për shumë vjet të tjera zëri i “Radio Dukagjinit””, ka deklaruar Osmani.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, gjithashtu ka përshëndetur këtë përvjetor, duke kujtuar drejtorin e parë të radio-stacionit, Agim Lluka, i cili kishte vizionin për të grumbulluar gazetarë të aftë dhe për të krijuar një audiencë të madhe e të besnikë.
“Teksa kremtojmë këtë përvjetor, ne gjithashtu duam ta kujtojmë dhe nderojmë të ndjerin Agim Lluka, drejtorin e parë të Radio Dukagjinit.
Agimi kishte vizionin që të grumbullonte disa nga gazetarët e radios më aftë të Kosovës, dhe të krijojë një nga audiencat më të mëdha dhe më besnike të radios në vend. Trashëgimia e tij jeton në suksesin e vazhdueshëm të Radio Stacionit”, ka thënë Hovenier.
Por, Hovenier nuk le pa përmendur edhe drejtoreshën aktuale të institucionit.
“Unë gjithashtu dua të shpreh përgëzimet e mia, Edita Doli – Muhaxherit, Drejtoreshës aktuale të Radio Dukagjinit. Ne jemi krenar që Edita është një ish studente e diplomuar në programin e shkëmbimit të Ambasadës së SHBA-ve. Ajo filloi karrierën në Radio Dukagjini, dhe udhëheqja e saj ka qenë jetike për ta udhëzuar Radion drejt së ardhmes”, tha Hovenier.
Hovenier përfundoi duke shprehur mbështetje për vazhdimësinë e partneritetit: “Përgëzime për Radio Dukagjinin për të gjitha ato që keni bërë për popullin e Kosovës në 25 vitet e fundit. Pres me padurim vazhdimin e partneritetit tonë për të promovuar një shtyp të lirë, të gjallë dhe të pavarur në Kosovë, dhe mezi pres të shoh çfarë do të bëni në 25 vitet e ardhshme.”
Ndryshe, në festën e 25 vjetorit të radios, redaksia ka pranuar video urime nga shumë personalitet të njohura vendore e ndërkombëtare.
Urimet nuk kanë munguar as nga dëgjuesit besnik të radios, të cilët kanë rrugëtuar së bashku për 25 vite. /Telegrafi/