Një 51-vjeçare ka mbetur e lënduar rëndë pasi është goditur nga një veturë të premten në rrugën Prishtinë – Podujevë, saktësisht në fshatin Besi.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Ai ka bërë të ditur se viktima është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtimin e nevojshëm mjekësor.
“Rreth orës 17:00, është pranuar informata për një aksident trafiku rrugor të ndodhur në rrugën Prishtinë-Podujevë, respektivisht në fshatin Besi, të komunës së Prishtinës”.
“Nga informatat e para bëhet e ditur se një veturë ka përplasur një këmbësore, rreth 51 vjeçe, e cila ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe e njëjta është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, ka deklaruar Borovci.
Ai ka shtuar se policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë masat e nevojshme për lehtësimin e qarkullimit rrugor si dhe ka nisur punën për hetimin e shkaqeve që kanë sjellë deri te aksidenti.
Po ashtu, ka njoftuar se vozitësi i veturës, 23 vjeçar, me aktvendim mbi ndalimin e personit të arrestuar, të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit, është dërguar në mbajtje prej 48 orësh. /Telegrafi/