Telegrafi

16-vjetori i pavarësisë, Osmani: Sot shënojmë të arriturën më të madhe të popullit tonë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar qytetarët në 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. 

Osmani para mediave deklaroi se sot shënohet e arritura më e madhe e popullit të Kosovës, transmeton Telegrafi.

“Sot shënojmë të arriturën më të madhe të popullit tonë, shënojmë ditën kur shteti ynë u shpall i pavarur, sovran, i lirë e demokratik. Këto 16 vjet Kosova ka bërë hapa shumë të rëndësishëm përpara dhe të vendosur për të treguar para botës që jo vetëm që e ka merituar lirinë dhe pavarësinë e saj, por është edhe kontribuuese e paqes, stabilitetit dhe sigurisë edhe përtej kufijve të saj”, tha presidentja.

Ajo po ashtu uroi të gjithë qytetarët e Kosovës, duke thënë se “gjithsecili prej tyre ka dhënë një kontribut të çmuar që ne sot ta gëzojmë shtetin tonë, por në veçanti dua t’i kujtojë ata që dhanë jetën e tyre, të gjithë dëshmorët e kombit e martirët”.

E para e shtetit po ashtu kujtoi vizionin siç tha të arkitektit të shtetit dhe pavarësisë, presidentin Ibrahim Rugova, sakrificën e pashembullt të familjes Jashari dhe të të gjithë ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. /Telegrafi/