Telegrafi

16 vjet nga vrasja e aktivistëve të LVV-së, Haxhiu thotë se i është drejtuar Sekretarit të OKB-së

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka treguar se për rastin e vrasjes së aktivistëve të LVV-së, Mon Balajt dhe Arben Xheladinit vitin e kaluar i është drejtuar Sekretarit të Kombeve të Bashkuara, për të kërkuar informata.

Haxhiu përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar po ashtu se edhe para tri vitesh zyrtarisht u është drejtuar autoriteteve rumune me shkresë për informacione lidhur me detajet procedurale dhe veprimet e ndërmarra për vrasjen e aktivistëve protestues.

“Në vitin 2009 ishte hapur rasti për hetimin e vrasjes së Monit dhe Arbenit. Para 3 vitesh zyrtarisht si Ministre, u jam drejtuar autoriteteve rumune me shkresë për informacione lidhur me detajet procedurale dhe veprimet e ndërmarra pë vrasjen e aktivistëve protestues. Vitin e kaluar rastin e kam adresuar edhe te Sekretari i Kombeve të Bashkuara për të kërkuar informata lidhur me nivelin e zhvillimit të prcedurave dhe marrjen e  përgjegjësisë nga policia rumune”, ka thënë Haxhiu. /Telegrafi/