Site icon Telegrafi

Më 15 gusht nis gara për kryetarin e ri të LVV-së i cili do të zgjidhet në shtator

Kryetari i LVV-së, njëherit edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media ka folur për procesin e brendshëm zgjedhor në subjektin që ai drejton.

Ai ka thënë se qendrat e LVV-së, deri më tani kanë organizuar zgjedhje në 300 pika.

“Risi kësaj here është se në LVV do të ketë dy struktura të reja organizative atë të gruas dhe rinisë. 14 mijë e 641 gra e vajza në LVV do ta kenë organizatën e tyre, sikurse 17 mijë e 331 të rinj e të reja do ta kenë organizimin e tyre brenda subjektit tonë”, ka thënë Kurti.

Kurti ka shtuar se ky proces e gjen LVV-në në një nivel tjetër, derisa shtoi se zgjedhje brenda LVV-së nuk do të ketë deri në vitin 2026.

“Për 4 vitet e ardhshme nuk do të ketë proces më të rëndësishëm sesa ky. Zgjedhje nuk do të ketë deri në vitin 2026, andaj është e domosdoshme që organizata jonë të përgatitet për këto zgjedhje me pjesëmarrje të të gjithëve. Nuk do të ketë as zgjedhje lokale as nacionale, pas këtyre zgjedhjeve të brendshme të LVV-së që janë të fundit para zgjedhjeve të ardhshme”, ka thënë Kurti.

Sekretarja Organizative, Vlora Haxhimehmedi u shpreh se që nga 15 marsi kur janë shpallur zgjedhjet e brendshme, LVV-së i janë shtuar 2,446 anëtarë të rinj, ku numri i përgjithshëm i anëtarëve ka shkuar në  59,291.

E Koordinatori për Qendra, Valon Hoti tha se më 15 gusht do të shpallen zgjedhjet për kryetar të LVV-së, kryetar të organizatës së gruas dhe rinisë për LVV.

“Njëjtë edhe për nivelin e dytë organizativ ku me të njëjtën datë do të shpallen zgjedhjet për kryetar për të gjitha qendrat e LVV. Afati do të jetë i hapur deri më 23 gusht ku secili anëtarë i LVV-së ka të drejtë të garoj”, tha Hoti.

Ai shtoi se më 1 shtator zyrtarisht hapet fushata për kandidatët për kryetar të LVV-së.

“23 shtator do të jetë dita kur do të mbyllet fushata, dhe më 25 shtator e gjithë anëtarësia voton për kryetarin e ri të LVV-së dhe të gjitha pozicionet drejtuese”, tha Hoti, deri sa shtoi se më 27 shtator shpallen fituesit e zgjedhjeve. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version