Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar dy persona, njërin në Kaçanik dhe tjetrin në Han të Elezit.
I arrestuari në Kaçanik dyshohet për lëndim të lehtë trupor, ndërsa tjetri në Han të Elezit për kalim të paautorizuar të kufirit.
“Më datën 10.01.2023 në ora 14:30 në rrugën ‘Ismajl Raka’ në Kaçanik, policët e stacionit në Kaçanik kanë arrestuar personin e kërkuar me urdhëresë të gjykatës J.L (M/K) i moshës 26 vjeçar.
Ai ishte i kërkuar në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Ferizaj për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ me dënim burgimi prej njëqind e tetëdhjetë (180) ditëve”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, në ora 21:25 në Pikën Kufitare Hani Elezit është ndaluar e më pas është arrestuar nga policët e stacionit të Hani Elezit personi i kërkuar me urdhëresë të gjykatës XH.L (M/K) i moshës 35 vjeçar.
Ai ishte i kërkuar në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Ferizaj për veprën penale “Kalimi i paautorizuar i kufirit”, me dënim burgimi prej 15 ditëve, apo 300 euro.
Pas kompletimit të dokumentacioneve, të njëjtit janë dërguar në vuajtje të dënimit.
Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë me realizimin e urdhëresave të gjykatës ndaj personave që ende nuk i janë përgjigjur thirrjes së gjykatës. /Telegrafi/