Volkswageni ka thënë se 11 milionë automobila të kësaj marke në mbarë botën janë të prekur nga skandali që shpërtheu rreth manipulimit me testet për emetimin e gazrave në SHBA.
Kompania gjermane ka thënë se do të ndajë 6.5 miliardë euro për të mbuluar kostot e skandalit.
Volkswageni ka thënë se do të paguajë “çdo masë të nevojshme dhe do të bëjë gjithçka për ta rikthyer besimin te klientët”.
Ndërkaq, shefi i kompanisë Volkswagen në SHBA e ka pranuar se kanë qenë jo të ndershëm në përdorimin e një softueri për të mashtruar testet e emetimeve të gazrave, transmeton koha.net.
Ndërkohë, Franca ka bërë thirrje për nisjen e hetimeve ndaj kompanisë gjermane edhe në Bashkimin Evropian, për të parë nëse e njëjta praktikë është ndjekur nga gjiganti gjerman edhe në kontinentin e vjetër.