Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi, ka hedhur dyshime për mungesën e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, në seancën ku diskutohej mundësia për votimin e një Rezolute që do të kufizonte aktivitetin e presidentit Thaçi në dialogun me Serbinë.
Ajo, duke ironizuar me një pyetje në Facebook, e ka barazuar mosvotimin e Memli Krasniqit të PDK-së kundër Thaçit, me mungesën e Albin Kurtit në këtë seancë.
“Cila është më çudi, që Memli Krasniqi nuk votoi kundër Thaçit apo që Albin Kurti nuk ishte fare në sallë për shkak të obligimeve private? “, ka shkruar Kuçi.
Sidoqoftë, partia e Kuçit më herët publikoi listat e deputetëve që kishin votuar PRO Rezolutës për dialogun me Serbinë, ku theksohet se ‘territori i Kosovës është i panegociueshëm.
Sipas listave, deputetët e PSD kishin votuar që të gjithë, mirëpo kishin qenë 8 deputetë të opozitës që kishin votuar KUNDËR ose që mungonin gjatë votimit.
Ndryshe, Kuvendi dje dhe sot diskutoi dhe u mundua të hartojë një Rezolutë ku kërkohej konsensus rreth qëndrimit të Kuvendit për dialogun me Serbinë. Kuvendi dështoi ta kalonte këtë Rezolutë.