Festivali më i ri dhe i parë në Shëngjin, Unum Festival, ka mbajtur konferencën zyrtare për media në lokacionin e festivalit, te Rana e Hedhun në Shëngjin.
Folës ishin ministri shqiptar i Turizmit, Blendi Klosi, drejtori artistik, Mousa Caseey dhe drejtori i shitjes dhe marketingut, Grego O’Halloran.
“Jemi të gëzuar që djemtë e Unum Festival kanë ardhur nga Kosova për të organizuar diçka në Shëngjin. Kjo ka shumë rëndësi për ekonominë e vendit dhe bizneset lokale. Shpresojmë që t’u ofrojmë mikpritjen e duhur që djemtë të vijnë edhe vitin e ardhshëm të vazhdojnë planin e tyre dhe të vazhdojnë pse jo, në Lezhë po edhe në vendet tjera. Kanë mundur të zgjedhin Kroacinë e Rumaninë, por zgjodhën Shqipërinë dhe për këtë duhet të jemi krenarë”, është thënë në konferencë.
Drejtori artistik, Mousa Ceesay, ka përmendur një rast personal, gjë që thotë se e ka bërë atë edhe më të gëzuar që po jetëson një projekt të tillë në tokën shqiptare.
“Gjatë luftës në Ballkan, familja ime mori në shtëpi një familje shqiptare me mbiemrin Zeqiri dhe ne realisht u bëmë familje prej gjaku”.
“Qëllimi jonë është të sjellim sa më shumë artistë ndërkombëtarë bashkë me simpatizuesit e tyre dhe po ashtu, esenciale është të ngrisim dhe të punojmë me artistët lokalë”, është thënë në konferencë.
“Vetë fakti që synojmë të sjellim se paku 7.000 persona në vendin e juaj dhe të gjithë ata do të flenë e do të hanë në pronat e juaja, tregon se sa do të ndikojë festivali jonë”, është shprehur drejtori i shitjes dhe marketingut.