Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurit B. M, zyrtarë i Postës së Kosovës, i cili dyshohet se ka përvetësuar 1700 euro nga ndihmat sociale të disa personave.
Kështu ka bërë të ditur Gjykata Themelore e Gjilanit përmes një komunikate për medie, ku gjithashtu ka njoftuar se kjo ka ndodhur gjatë këtij muaji.
“Ekziston dyshimi i bazuar se, i pandehuri në cilësinë e zyrtarit në Postën e Kosovës në Gjilan, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, gjatë muajit tetor 2020, ka përvetësuar ndihmat sociale të disa personave, në vlerë prej 1,700 €. Me këto veprime i pandehuri B. M. dyshohet se ka kryer veprat penale ‘përvetësimi në detyrë’’ vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në komunikatë.
Gjykata njofton se, gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që caktimi i masave tjera alternative do të pengonin zhvillimin normal të procedurës penale.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit. /Telegrafi/