Gjatë një vizite dyditore në Kosovë, zëvendës drejtori menaxhues për Evropën i Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të Bashkimi Evropian, Marko Makovec, takoi të enjten përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe në Manastirin e Banjskës me të cilët diskutoi rolin e liderëve fetarë në nxitjen e marrëdhënieve paqësore midis komuniteteve.
Kështu thuhet në një postim në Facebook, të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
“I shoqëruar nga ambasadori i BE-së në Kosovë dhe shefi i EULEX-it, Makovec ka takuar edhe disa bashkëbisedues në veri të Kosovës, duke përfshirë edhe përfaqësues të shoqërisë civile, dhe është informuar nga EULEX-i.
Vizita, e cila përfundon sot me një seri takimesh në Prishtinë, tregon interesin dhe angazhimin e fuqishëm të BE-së në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, më 24 shtator Policia e Kosovës u sulmua nga një grup serbësh në Banjskë të Zveçanit.
Nga ky sulm mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
Në kundërpërgjigje të sulmit, Policia vrau tre persona të grupit terrorist.
Përgjegjësinë për sulmin terrorist e mori Milan Radoiçiq. Ky i fundit në kohën e sulmit ishte nënkryetar i Listës serbe, parti kjo e serbëve në Kosovë që ka lidhje të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. /Telegrafi/