Ukrainës me gjasa do t’i jepet qasja në vendin ku ka ndodhur shpërthimi i raketave në juglindje të Polonisë, ku si pasojë humbën jetën dy persona.
Këtë e ka konfirmuar këshilltari për politikë të jashtme i presidentit polak, Andrzej Duda, transmeton Telegrafi.
Presidenti polak tha mbrëmë se qasja për në vendin e shpërthimit do të kërkonte dakordim mes dy palëve – pra Polonisë dhe SHBA-së që po kryejnë hetimet.
Varshava beson se shpërthimi me gjasë ka ndodhur si rezultat i shkrepjes së raketave nga mbrojtja ajrore ukrainase – diçka që Kievi me këmbëngulje po e mohon.
“Një ekip i hetuesve polako-amerikanë ka dalë në vendin e ngjarjes”, tha Jakub Kumoch.
Në anën tjetër ukrainasit kanë kërkuar të kenë qasje në vendin ku ndodhi shpërthimi dhe po kryhen hetime.
“Nëse dy palët pajtohen, sa e di unë nuk ka kundërshtim nga pala amerikane, një qasje e tillë do të jepet shpejtë”, shtoi Kumoch. /Telegrafi/