Telegrafi

Zyrtari i NATO-s: Ukraina ka të drejtë ligjore të godasë thellë brenda Rusisë

Ukraina ka të drejtën ligjore dhe ushtarake për të goditur thellë brenda Rusisë për të fituar avantazhe luftarake, ka deklaruar kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Rob Bauer.

“Çdo komb që sulmohet ka të drejtë të mbrohet. Dhe kjo e drejtë nuk ndalet në kufirin e kombit tuaj”, tha Bauer, i cili shërben si këshilltari kryesor i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, duke folur në mbyllje të takimit vjetor të komitetit.

“Kombet kanë të drejtën sovrane për të vendosur kufizime në armët që dërgojnë në Ukrainë”, shtoi ai.

Ndërkohë, Karel Rehka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Çeke, tha se kombi i tij nuk vendos kufizime të tilla armësh në Kiev.

“Ne besojmë se ukrainasit duhet të vendosin vetë se si ta përdorin atë”, tha Rehka.

Por, ai gjithashtu vuri në dukje rreziqet politike dhe potencialin e përshkallëzimit: “Është e rëndësishme të merret parasysh çdo aspekt, duke përfshirë potencialin e përshkallëzimit dhe gjëra të tjera”.

Bëhet e ditur se komentet e tyre erdhën ndërsa presidenti i SHBA-së, Joe Biden po peshon nëse do të lejojë Ukrainën të përdorë armë me rreze të gjatë të siguruara nga SHBA-ja për të goditur thellë në Rusi.

Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga Kievi për Perëndimin për ta lejuar atë të godasë më thellë në Rusi, liderët perëndimorë duken ende në mëdyshje, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

Raportohet se Biden u takua me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer të premten pas vizitës së kryediplomatëve të tyre në Kiev, të cilët u vunë nën presion të ri për të hequr kufizimet e armëve.

Diskutimet për lejimin e goditjeve me rreze të gjatë besohej të ishin në tryezë, por asnjë vendim nuk u shpall menjëherë.

Uashingtoni ka lejuar Ukrainën të përdorë armët e ofruara nga SHBA-ja në sulmet ndërkufitare për të kundërshtuar sulmet nga forcat ruse.

Megjithatë, ai nuk lejon përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi në thellësi të Rusisë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka ushtruar presion ndaj SHBA-së dhe aleatëve të tjerë që të lejojnë forcat e tij të përdorin armë perëndimore për të shënjestruar bazat ajrore dhe vende më larg, ndërsa Rusia ka shtuar sulmet në rrjetin elektrik të Ukrainës dhe shërbimet komunale para dimrit.

NATO thekson si konsiderata ushtarake ashtu edhe politike

Sigurimi i mbështetjes dhe trajnimit shtesë për Ukrainën ishte një temë kryesore në takimin e shefave të NATO-s, por nuk ishte e qartë nëse u diskutua mbi kufizimet e SHBA-së.

Në hapje të takimit, Presidenti i Republikës Çeke Petr Pavel u kërkoi gjerësisht krerëve ushtarakë të mbledhur në sallë që të jenë “të guximshëm dhe të hapur në artikulimin e vlerësimeve dhe rekomandimeve”.

Por, rreziqet e përshkallëzimit duhet të merren gjithashtu në konsideratë, sipas Sekretarit të Mbrojtjes të SHBA, Lloyd Austin, duke argumentuar se një sistem armësh nuk do të përcaktojë suksesin në luftë.

Ai gjithashtu vuri në dukje se Ukraina tashmë ka qenë në gjendje të godasë brenda Rusisë me sistemet e saj të prodhuara brenda vendit, duke përfshirë dronët. /Telegrafi/