Nënkryetari i Komunës së Klinës, Besim Hoti, ka ofenduar rëndë tashmë të ndjerin, veprimtarin Adem Demaçi.
Hoti i cili ka qenë kandidat për kryetar të Klinës nga LDK, e ka quajtur Demaçin si përçarësin numër dy të shqiptarëve, duke paralajmëruar se shpejt do të ikë nga kjo botë edhe përçarësi numër një siç e quan ai, duke mos i dhënë emër atij.
“Përçarësi numër dy i shqiptarëve ka ikur nga kjo botë! Pritet të ikë edhe Shpend-keqja që është përçarësi numër një. Këta dy monstruma i bënë pikë e pesë shqiptarët” shkruan Hoti në Facebook, përcjell Telegrafi.
Ndërkaq, në komentet e bëra nga qytetarët në statusin e tij, shihet se Hoti e ka fjalën për Demaçin të cilin e vlerëson si armik të madh të ish presidentit Rugova.
Këtë status, e kanë mbështetur edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, dhe Naser Rugova.
Në komentin e tij, deputeti Zemaj ka shkruar “respekt Besim shoqi”, duke e mbështetur kështu për atë se çka ka shkruar Hoti për Demaçin.
Ndërkaq, duhet kujtuar se ceremonia komemorative dhe e varrimit të veprimtarit Adem Demaçi, me nderimet më të larta shtetërore, bëhen nesër në sheshin “Skënderbeu”, duke filluar nga ora 08:30.
Pas përfundimit të ceremonisë komemorative, kortezhi së bashku me qytetarët do të niset drejt varrezave të Velanisë./Telegrafi