Telegrafi

Zyrtari i klubit të Feronikelit ndërpretë intervistën e trajnerit Klodian Duro, kërkon largimin e tij nga klubi

Një ngjarje tejet e pazakontë dhe e paprecedent ka ndodhur pas përfundimit të ndeshjes ndërmjet Feronikelit dhe Arbërisë, ku skuadra mysafire mori fitore me rezultat 1-0. 

Anëtari i kryesisë së klubit, Adem Bucolli e ka ndërprerë intervistën e trajnerit Klodian Duro, teksa ka kërkuar largimin e tij të menjëhershëm.

“Duhet te largohesh menjëherë, për çfarë rezultatesh e ke fjalën”, u shpreh fillimisht Bucolli duke e ndalur Duron të flas.

Më pas shefi i sigurisë në klubin e Feronikelit ka folur për situatën e krijuar te tre herë ish kampionët e vendit.

“Kjo situatë është alarmante dhe e gjithë falë trajnerit Klodian Duro, i cili me veprimet e tij e ka sjellë klubin në këtë gjendje. Ai duhet larguar mënjeherë. Që sot e tutje, ose ai ose unë në klub”, ka thënë Bucolli.

Në anën tjetër trajneri Klodian Duro ka thënë se do të qëndrojë që ta arrijë mbijetesën.

“Bëmë gjithçka për të shkuar drejt fitores, provuam gjithçka. Nëse nuk arrin të shënosh do të pësosh. Do të duhej të bënim më tepër. Kur nuk arrin të shënoi bëhet më e vështirë. Superliga është me 10 ekipe dhe janë lojtarët më të mirë, me këtë fitore skuadra e Arbërisë nuk na ka kaluar, do të jetë një luftë e madhe deri në fund”, ka thënë Duro. /Telegrafi/