Telegrafi

Vdes ushtari i KFOR-it që u gjet pa ndjenja në Brezovicë

Foto ilustruese

E plotësuar: Ka vdekur ushtari i KFOR-it i cili u gjet pa ndjenja në Qendrën e Skijimit në Brezovicë, gjatë ditës së diel.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

“Ju njoftojmë se stafi mjekësor i Shtëpisë së Shëndetit në Shtërpcë dhe pjesëtarët e KFOR-it, në ora 16:30 kanë ndërprerë reanimimin, për shkak se nuk ka pasur shenja jete. Trupi i pajetë i pjesëtarit të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë është transportuar me helikopter të KFOR-it, u shpreh Veseli.

Po ashtu theksoi se është njoftuar edhe prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt.

Zyrtari i KFOR-it gjendet i shtrirë pa ndjenja në Brezovicë

Një pjesëtar i KFOR-it, është shtrirë pa ndjenja gjatë së dielës në Qendrën e Skijimit në Brezovicë.

Rastin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

Ai ka thënë se ekipet e emergjencës kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe i kanë ofruar ndihmën e parë mjekësore.

“Sot, rreth orës 15:20 Policia e stacionit në Shtërpcë ka pranuar një informacion se një pjesëtar i KFOR-it, në Qendrën e Skijimit në Brezovicë, mbi hotelin “Molika”, është i shtrirë pa ndjenja. Ekipet e Emergjencës kanë arritur shpejtë në vendin e ngjarjes dhe i kanë ofruar ndihmën e parë mjekësore dhe është nën përkujdesje mjekësore. Janë njoftuar edhe ekipet emergjente të KFOR-i të cilët pritet të dalin në vendin e ngjarjes”, u shpreh Veseli.

Ndërkaq, ai nuk dha detaje tjera, duke thënë se për çdo gjë, do të informojë me kohë./Telegrafi/