Qeveria izraelite nuk i ka konfirmuar pretendimet specifike se militantët e Hamasit prenë kokat e foshnjave gjatë sulmit të tyre shokues të shtunën, tha një zyrtar izraelit për CNN-in, duke kundërshtuar një deklaratë të kaluar publike.
“Ka pasur raste të militantëve të Hamasit që kryejnë prerje kokash dhe mizori të tjera të stilit të ISIS-it. Megjithatë, ne nuk mund të konfirmojmë nëse viktimat ishin burra apo gra, ushtarë apo civilë, të rritur apo fëmijë”, tha zyrtari.
Pretendimet se fëmijëve u janë prerë kokat në kibuc të Kfar Aza u shfaqën të martën në mediat izraelite.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) më vonë e përshkruan skenën si një “masakër” në një deklaratë për CNN. Gratë, fëmijët e vegjël dhe të moshuarit u “mbytën brutalisht sipas stilit të ISIS-it”, tha IDF.
Tal Heinrich, zëdhënëse e kryeministrit Benjamin Netanyahu, tha të mërkurën se kishin gjetur foshnja dhe fëmijë me “koka të prera” në Kfar Aza.
Edhe një zëdhënës i IDF-së tha gjithashtu se terroristët kishin prerë kokat e fëmijëve.
“Ne e dimë se ka pasur foshnja të vdekura. Ka prova se ka pasur prerje kokash. Nuk e di se si t’i verifikoj numrat apo si u vranë”, tha zëdhënësi i IDF, Nir Dar. /Telegrafi/