Site icon Telegrafi

Zyrtari amerikan i përfshirë në bisedimet e armëpushimit në Gaza: Të gjitha palët janë të interesuara për një marrëveshje

Një zyrtar amerikan tha se bisedimet e mbajtura në Kajro për armëpushim në Gaza ishin “konstruktive dhe të kryera në frymën e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare dhe të zbatueshme me të gjitha palët që ndajnë këtë ndjenjë”.

“Procesi do të vazhdojë në ditët në vijim përmes grupeve të punës për të zgjidhur më tej çështjet dhe detajet e mbetura”, tha një zyrtar amerikan për The Times of Israel.

Shtetet e Bashkuara më 16 gusht i ofruan Izraelit dhe Hamasit një “marrëveshje për armëpushim”, duke shtuar se ekipet negociuese të nivelit më të ulët do të takohen më vonë për të zgjidhur mosmarrëveshjet midis palëve përpara se zyrtarët e lartë të takohen sërish këtë fundjavë për të nënshkruar një marrëveshje.

Por, në mesin e javës së kaluar, bisedat për finalizimin e afërt të marrëveshjes “dështuan”. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u tha gazetarëve pas një vizite në rajon se do të duhej të arriheshin marrëveshje shtesë për të zbatuar marrëveshjen nëse Hamasi binte dakord me propozimin e SHBA-së, që duket se do t’i shtonte një hap tjetër procesit derisa të hyjë në fuqi armëpushimi.

Në të vërtetë, fakti që “grupet e punës” të nivelit më të ulët po mblidhen sugjeron që palët nuk janë ende gati që vendimmarrësit e tyre kryesorë të finalizojnë një marrëveshje.

Megjithatë, një burim amerikan i njohur me negociatat shpjegon se në katër ditët e fundit në Kajro është bërë përparim.

Palët negociuan në bazë të një propozimi të armëpushimit të SHBA-së që përfshin detaje nga fjalimi i presidentit amerikan, Joe Biden më 31 maj dhe Rezoluta 2735 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila shërbeu si kornizë për bisedimet së bashku me sqarimet e mëvonshme nga Hamasi dhe Izraeli, shpjegoi burimi. /Telegrafi/

Exit mobile version