Presidenti rus Vladimir Putin ka shpallur një luftë, duke e cilësuar neverinë perëndimore ndaj brutalizimit të tij ndaj Ukrainës si një komplot tinëzar për të “shpërbërë” dhe nënshtruar Moskën.
Në kryqëzatën e tij të thelluar kundër Perëndimit “të degjeneruar”, ai ka ndaluar përdorimin e fjalëve të huaja, ka urdhëruar zyrtarët e tij të heqin makinat e prodhimit të huaj dhe i ka ndaluar ata të përdorin teknologjinë perëndimore, duke përfshirë pajisjet Apple.
Por deri më tani, deklaratat e Putinit nuk duket se “kanë hasur në vesh të shurdhër”, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Kjo pasi që ish-presidenti Dmitry Medvedev u pa këtë javë teksa mbërrinte në një ngjarje në një kolonë automjetesh të prodhimit të huaj – vetë Medvedev i hipur në pjesën e pasme të një Mercedesi luksoz.
Dhe raportimi i fundit nga gazeta Verstka sugjeron se ky nuk është një incident i izoluar.
Organizata e pavarur e medias zbuloi këtë muaj se agjencitë qeveritare ruse ndanë më shumë se 53 milionë rubla (570,000 dollarë) për makina të huaja, një javë pas urdhrit të Putinit që zyrtarët të ndalonin përdorimin e tyre.
Një tjetër media ruse e opozitës, Agentstvo, publikoi këtë javë një raport që detajon se si zyrtarët në ministrinë ruse të mbrojtjes, ministrinë e bujqësisë dhe korporatën shtetërore të teknologjisë Rostec po përdorin ende produktet e Apple, pavarësisht ndalimit të lëshuar në korrik për shkak të frikës se qeveritë perëndimore mund të komprometojnë pajisje të tilla.
Refuzimi ose pamundësia e zyrtarëve rusë për të respektuar urdhrat antiperëndimore të Putinit vjen në një moment të ndjeshëm politik për “shefin”.
Lufta e kushtueshme e Kremlinit kundër Ukrainës nuk tregon asnjë shenjë zbutjeje dhe fuqitë perëndimore nuk tregojnë vullnet për lehtësimin e sanksioneve që kanë izoluar ekonominë e Rusisë.
Rubla është në rënie të lirë dhe përpjekja prej dekadash e Moskës për të krijuar një “ekonomi fortesë” ka pasur sukses të kufizuar.
Dhe me rebelimin e Grupit Wagner – dhe shqetësimet për reagimin e supozuar të autoriteteve ruse ndaj tij – pozicioni i Putinit në krye të kleptokracisë së Kremlinit ndoshta nuk është aq i sigurt sa dikur. /Telegrafi/