Valon Berisha është bërë me skuadër të re vetëm një javë pas largimit nga Fortuna Dusseldorf.
Mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës ishte huazuar nga Lazio tek klubi gjerman, por që nuk arritën të mbijetojnë në Bundesliga.
Tani Berisha është prezantuar tek skuadra e tij e re dhe nga edicioni i ardhshëm do të luaj në Ligue 1.
Valoni i është bashkuar skuadrës franceze Stade Reims, ku aktivizohet edhe ylli tjetër i Kosovës, Arbër Zeneli.
Edhe pse dy klubet nuk kanë përmendur detaje financiare, sipas medieve franceze transferimi i Berishës i ka kushtuar Reims plot pesë milionë euro.
27-vjeçari tanimë është prezantuar nga klubi ku ka zgjedhur edhe fanellën me numrin e tij të preferuar 14.
Kujtojmë që Reims ka bërë një sezon të madh në Ligue 1 dhe edicionin e ardhshëm do të luaj edhe në Ligën e Evropës.
Për Valonin Reims është klubi i pestë në karrierë pasi më parë ka luajtur edhe për Viking, RB Salzburg, Lazio e Fortuna Dusseldorf. /Telegrafi/