Afrim Tovërlani paralajmëroi largimin nga Feronikeli pas humbjes së pësuar nga Drita 1-2.
Trajneri prishtinas tha se do t’i ofrojë dorëheqjen kryetarit të klubit Naser Ramaj dhe ajo është pranuar.
Ka qenë Feronikeli që ka konfirmuar se ka ndarë rrugët me trajnerin Tovërlani duke e falënderuar atë për kontributin e dhënë në klub.
“Ashtu siç edhe u deklarua pas ndeshjes me Dritën, trajneri Afrim Tovërlani “Toki”, ka ndarë rrugët me Feronikelin”.
“Pas ndeshjes, Tovërlani tha që do të propozojë dorëheqjen nga klubi në takim me presidentin dhe kryesinë dhe një gjë e tillë edhe ndodhi”.
“Pas diskutimeve “Toki” e pa të arsyeshme që kjo ndarje e rrugëve është në të mirë të të dyja palëve”.
“Tovërlani erdhi te Feronikeli gjatë sezonit të kaluar dhe tani ndërpritet bashkëpunimi pas pesë xhirove të para të sezonit 2020-21”.
“Feronikeli i uron shumë fat në rrugëtimin e tij të ri dhe se ai është gjithmonë i mirëpritur në klubin tanë”, thuhet në njoftimin e klubit nga Drenasi. /Telegrafi/