Site icon Telegrafi

Zyrtare: Tammy Abraham bëhet futbollisti më i ri i Milanit

Milani edhe zyrtarisht ka njoftuar transferimin e ish-reprezentuesit anglez Tammy Abraham në formë huazimi nga Roma.

Ish-sulmuesi i Chelseat bëhet pjesë e ‘Rossonerëve’ në një marrëveshje huazimi pa opsionin e blerjes, kështu që ai do të mbetet pjesë e tyre deri në qershor të vitit të ardhshëm.

Ky njoftim u bë menjëherë pasi Roma bëri të ditur transferimin e Alexis Saelemaekers, i cili iu bashkua ‘Giallorossëve’ nga Milani po ashtu në formë huazimi.

Abraham kështu është bërë blerja e pestë e Milanit gjatë këtij afati kalimtar veror, pasi paraprakisht kishin transferuar Alvaro Moratan, Youssouf Fofanan, Emerson Royal dhe Strahinja Pavlovic.

Raportimet e ditës së sotme sugjeruan se Abraham madje mund të përfshihej në ekipin e Milanit për ndeshjen e nesërme (e shtunë) ndaj Lazios në ‘Stadio Olimpico’.

Abraham tani po luan sezonin e tij të katërt në Serie A, ndërsa kujtojmë se e kishte nisur mjaft mirë aventurën e tij në Itali me 17 gola të shënuar në sezonin 2021/2022, megjithëse më pas shënoi vetëm tetë sezonin vijues.

Anglezi fatkeqësisht kishte pësuar një lëndim të ligamenteve në xhiron e fundit të sezonit 2022/2023 dhe për këtë arsye ai pati vetëm tetë paraqitje në Serie A gjatë sezonit 2023/2024./Telegrafi/

Exit mobile version