Telegrafi

Zyrtare: Shqipëria gjen kundërshtar para Evropianit

Përfaqësuesja shqiptare ka gjetur edhe kundërshtarin e tretë për ndeshje miqësore, në kuadër të pjesëmarrjes në Euro 2016. Federata Shqiptare njoftoi se kuqezinjtë do të luajnë në fundin e muajit mars kundër Luksemburgut.

Sfida do të luhet më datë 29, vetëm tre ditë pas miqësores së përcaktuar më parë kundër Austrisë, në stadiumin “Ernest Hapel” të Vienës. Me përballjen ndaj Luksemburgut, Shqipëria siguron kundërshtarët për dy datat e lira të FIFA-s për muajin Mars.

Me Luksemburgun do të luhet sërish në fushë kundërshtare. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Josy Barthel” në Luksemburg City, në orën 20 e 15 minuta.

Bëhet fjalë për një stadium me kapacitet 9 mijë spektatorë, pas rikonstruktimit të pjesshëm për të plotësuar parametrat e kërkuara nga UEFA për ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Evropian.

Shqipëria numëron 5 përballje historike përballë Luksemburgut, ku ka regjistruar 3 fitore mes kualifikueseve të Euro 2008 dhe Euro 2012, një barazim në miqësoren e vetme deri më tani të vitit 2002 dhe një humbje. Më 6 Shtator 2011, kuqezinjtë u mposhtën 2-1 nga përfaqësuesja e shtetit të vogël, e cila vulosi edhe largimin e kroatit Josip Kuzhe nga drejtimi i stolit.

Miqësorja e tretë zyrtare e Shqipërisë përpara pjesëmarrjes në evenimentin në Francë do të jetë edhe ajo e 29 majit kundër Katarit, që do të luhet sërish në Austri, ndërsa Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se po punon për organizimin e një tjetër ndeshje testuese përpara startit të finaleve të Euro 2016.