Site icon Telegrafi

Zyrtare: Rahoveci nënshkruan me Rron Ukajn, mposht Bashkimin dhe Prishtinën

KB Rahoveci ka transferuar Rron Ukajn, MVP të kampionatit evropian U-18.

Lojtari më i mirë i kampionatit evropian ku Kosova u shpall kampione në divizionin C ka vendosur t’i bashkohet Rahovecit.

Klubi ka konfirmuar në faqen zyrtare se ka arritur të sigurojë besimin e lojtarit spektakolar.

Rron Ukaj është lojtar i pozitës 4 dhe u shpall lojtari më i mirë i kampionatit evropian të divizionit C, kurse deri tash ishte lojtar i Pejës.

Ukaj pritet të jetë atraksion i madh për publikun e Rahovecit, pasi njihet për ngulitjet spektakolare dhe stilin e lojës si LeBron James.

Për Ukajn ambienti do të jetë familjar, pasi do të udhëhiqet nga trajneri pejan, Bujar Loci dhe do të ketë bashkëlojtarët pejan Arian Qallaku e Ron Grapcin, ku me këtë të fundit edhe luajti sezonin e kaluar te Peja.

Rahoveci kështu rivalizon fuqishëm Prishtinën me transferimet e bëra, duke qenë dy skuadrat me më së shumti transferime deri tani në prag të sezonit.

Pos këtyre lojtarëve, Rahoveci ka konfirmuar nënshkrimin me James Stanback dhe pritet që së shpejti të konfirmojë transferimet e së paku tri amerikanëve tjerë.

Rahoveci sezonin e kaluar ishte pjesë e playoffit për herë të parë në histori të klubit dhe i çuditshëm është fakti se klubi këtë sukses e arriti duke zhvilluar ndeshjet në Gjakovë, pasi ka 10 vite që palestra në Rahovec nuk po përfundohet. /Telegrafi/

Exit mobile version