Klubi nga Podujeva, Llapi ka prezantuar sot (e shtunë) gjatë ditës dy transferimet e para të afatit kalimtar të janarit.
Pas arritjes së marrëveshjes me trajnerin e ri Gjengis Rexhepi, Llapi ka njoftuar edhe për transferimin e parë të afatit kalimtar të janarit, i cili është mesfushori llapjan Flamur Bajrami, i cili sot ka kryer prezantimin me fanellën bardhekaltër.
“Flamur Bajrami ka nënshkruar kontratë dy vjeçare e gjysmë me klubin, ndërsa më parë ka qenë pjesë e 2 Korrikut, Tiranës e Vëllaznimit”, thuhet në njoftimin e klubit llapjan.
Pas prezantimit të Bajramit, disa orë më vonë Llapi ka prezantuar edhe transferimin e dytë të janarit, mbrojtësin nga Shqipëria, Elvis Prençi.
Qendërmbrojtësi nga Peshkopia, Elvis Prençi gjatë ditës së sotme ka arritur marrëveshje me skuadrën e Llapit dhe në këtë edicion do veshë fanellën bardhekaltër”.
“Elvis Prençi, 25 vjeç i lindur më 26.06.1993, i gjatë 1.89m luan si qendërmbrojtës dhe nga sot është pjesë e Llapit”.
“Prençi ka luajtur më parë për Kukësin, Partizanin e Tiranës, Teutë, Korabin e Peshkopisë dhe së fundmi për Lushnjën. Po ashtu ai ka qenë pjesë e Kombëtares së Shqipërisë U21”, thuhet një njoftimin e Llapit.
Llapi iu ka uruar mirëseardhje dy lojtarëve të rinj, ndërsa objektivi i klubit vazhdon të jetë i njëjti – titulli kampion në Superligën e Kosovës. /Telegrafi/