Telegrafi

Zyrtare: Llapi konfirmon shitjen e Muhamet Hysenit te AC Horsens

Llapi ka njoftuar edhe zyrtarisht arritjen e marrëveshjes me klubin danez, AC Horsens, për shitjen e sulmuesit Muhamet Hyseni.

Hyseni ishte lojtari kryesor i Llapit këtë sezon, duke u shpallur edhe golashënuesit më i mirë në Albi Mall Superligën e Kosovës me 26 gola nga 34 ndeshje të luajtura.

Paraqitjet e tij të mira kanë bërë të Hyseni të bie në syrin e shumë skuadrave evropiane, por vetëm njëra ka arritur të fitojë garën për shërbimet e tij.

Bëhet fjalë për klubin danez, AC Horsens, i cili ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare me Hysenin dhe një gjë e tillë është konfirmuar nga faqja zyrtare e Llapit.

“Klubi Futbollistik Llapi njofton opinionin se ka arritur marrëveshje zyrtare për transferimin e futbollistit Muhamet Hyseni për 5 vite në klubin AC Horsens që bënë gara në divizionin e parë të futbollit danez”.

“Marrëveshja me klubin AC Horsens është arritur në pajtueshmëri të plotë me futbollistin Hyseni, i cili do u bashkohet atyre në përgatitje para datës 20 qershor”.

“Klubi ynë ka negociuar tash e disa muaj me klubin AC Horsens për transferimin e Hysenit, teksa sot edhe është zyrtarizuar nga klubi danez”, thuhet në njoftimin e Llapit.

Llapi detajet tjera nuk i ka bërë publike, por nga kjo shitje thuhet se ka fituar rreth 650 mijë euro dhe ka mbajtur 20% të kartonit për shitjen e ardhshme.

Transferimi i lojtarit është konfirmuar edhe nga faqja zyrtare e AC Horsens. /Telegrafi/