Pas portierit Kenan Haxhihamza edhe një futbollist titullar është larguar nga Gjilani.
Fjala është për mesfushorin llapjan, Kushtrim Shabani i cili ka qenë një lojtar titullar sidomos në ndeshjet e fundit të kampionatit.
23-vjeçari kishte disa probleme me lëndime, por në momentin kur iu desh më së shumti skuadrës ai ishte në formë të lartë, duke shënuar edhe një gol ndaj Ballkanit.
Ka qenë vet futbollisti llapjan që nëpërmjet një postimi në profilin e tij ka njoftuar se është ndarë me Gjilanin.
“Nga sot nuk do të jem pjesë e Gjilanit. Një sërë falënderimesh shkojnë për presidentin, drejtorët, bashkëlojtarët, stafin e klubit dhe tifozërinë e klubit ultras Skifterat për përkrahjen”.
“Gjithashtu SC Gjilanit i dëshiroj shumë suksese ne arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Kushtrim Shabani.
Lojtari gjatë ditëve në vijim pritet të vendos për skuadrën e tij të re. /Telegrafi/