Hasan Hyseni është lojtari i radhës që ka nënshkruar me FC Prishtinën.
Mesfushori-sulmues në edicionin e fundit ishte pjesë e Malishevës, me të cilën ka luajtur me shumë sukses duke i realizuar shtatë gola në 32 paraqitje.
25-vjeçari është produkt i Trepçës ’89 derisa në karrierën e tij ka luajtur edhe me Drenicën dhe skuadrën prizrenase A&N.
“Cani” ka nënshkruar kontratë dy-vjeçare me ekipin kryeqytetas. Mitrovicasi e ka dhënë një prononcim për faqen zyrtare të klubit ku shprehet i lumtur që është bërë pjesë e Prishtinës.
“Projekti që e ka bërë klubi dhe trajneri Ismet Munishi më kanë shtyrë që të bëhem pjesë e Prishtinës. Sigurisht se është ndjenjë shumë e mirë me qenë pjesë e klubit më të madh kosovar”.
“Synimet personale janë që të paraqitem sa më mirë me ekipin e Prishtinës në mënyrë që t’i arrijmë objektivat e klubit”.
“Tifozëve të Prishtinës mund t’u them se do ta jap maksimumin në arritjen e objektivave dhe ta sjellim titullin në kryeqytet. “Plisat” meritojnë trofe. Do ta bëjmë krenar të gjithë kryeqytetin”, ka thënë Hyseni. /Telegrafi/