Telegrafi

Zyrtare: Hamsik i bashkohet skuadrës kineze Dalian Yifang

Marek Hamsik ka zyrtarizuar largimin e tij nga Napoli.

Mesfushori sllovak është larguar nga klubi italian pas 12 viteve qëndrim në Napoli.

31-vjeçari ka pranuar t’i bashkohet skuadrës kineze Dalian Yifang ku ka nënshkruar kontratë për dy vite e gjysmë.

Napoli dhe Dalian Yifang kanë arritur marrëveshje përfundimtare ku klubi kinez ka pranuar të paguajë 15 milionë euro në drejtim të ekipit italian për Hamsikun.

Reprezentuesi i Sllovakisë do të marrë një pagë prej nëntë milionë eurove në stinor plus bonuset.

Kjo ishte arsyeja që ai pranoi largimin nga Napoli, për të cilin klub kishte refuzuar edhe ekipet si Milan, Inter e Juventus.

“Fillimisht iu kërkoj falje tifozëve të kaltër që nuk munda të largohem me një përshëndetje në fushë. Ju më keni dashur, më keni respektuar pa kushte, kështu që unë nuk do ta harrojë asnjëherë këtë nga ju”.

“Në Napoli më kanë lindur tre fëmijët, që të tre napolitanë në të gjitha aspektet. Unë nuk do ta harroj kurrë këtë qytet dhe dashurinë që ma dhatë”.

Lexo po ashtu Largohet pas 12 vitesh legjenda e vërtet e Napolit - Rekordmeni që mori nofkën 'Kreshta' dhe që e la nën hije Maradonën me gola dhe asistime

“Do të doja të falënderoja të gjithë, presidentin që më dha mundësinë të qëndroj këtu për 12 vite dhe që e pranoi dëshirën time për të provuar një përvojë të re, të gjithë trajnerët që më kanë stërvitur, të cilëve u detyrohem për rritjen time si lojtar dhe si njeri, të gjithë stafin mjekësor dhe teknik”, tha ndër tjera Hamsik.

Marek Hamsik. (Foto: Francesco Pecoraro/Getty Images/Guliver)

Sllovaku iu bashkua Napolit në verën e vitit 2007 nga Brescia për 5,5 milionë euro, ndërsa që nga ajo kohë ai është bërë lojtari me më së shumti paraqitje te Napoli si dhe me më së shumti gola të shënuar. /Telegrafi/