Telegrafi

Zyrtare: Fred kalon te Manchester United

Manchester United ka konfirmuar transferimin e brazilianit Fred.

Kështu ka bërë të ditur gjiganti i Ligës Premier përmes një mesazhi të publikuar në ueb-faqen e klubit.

“Manchester United është i kënaqur të njoftojë se ka përfunduar transferimin e Frederico Rodrigues de Paula Santos (Fred) nga Shakhtar Donetsk,” shkruan në njoftimin e Djajve të Kuq.

Klubi anglez njoftoi më 5 qershor se ishte arritur marrëveshja me Shakhtar Donetskut për transferimin e 25-vjeçarit dhe me formalitetet e përfunduara, braziliani ka nënshkruar një marrëveshje pesëvjeçare.

“Ky është klubi më i madh në botë dhe jam i kënaqur që jam pjesë e këtij ekipi mahnitës”, tha Fred.

“Mezi po pres që të filloj dhe të takohem me shokët e rinj të ekipit tim. Do të doja t’i falënderoja të gjithë në Shakhtar Donetsk për gjithçka që kanë bërë për mua gjatë pesë viteve të fundit”.

“Kjo është një kohë shumë emocionuese për mua, me fokusin tim tani plotësisht në Kupën e Botës me Brazilin”.

Tarifa për ish-lojtarin Internacional mendohet të jetë rreth 50 milionë euro. /Telegrafi/