Telegrafi

Zyrtare: Feronikeli shkarkon Starovën, emëron Zekirija Ramadanin trajner të ri

Klubi futbollistik nga Drenasi, Feronikeli ka bërë ndryshime në shtabin teknik.

Dy herë kampioni i Kosovës në futboll ka shkarkuar gjatë ditës së sotme (e hënë) nga detyra trajnerin shqiptar, Sulejman Starova dhe ka emëruar Zekirija Ramadanin, ashtu siç njoftoi gjatë ditës Telegrafi.

Lexo po ashtu Feronikeli po diskuton shkëputjen e kontratës me Starovën, Ramadani zëvendësues i tij

Shkarkimi i Starovës erdhi si shkak i rezultateve jo të mira gjatë kohës sa ishte pjesë e klubit nga Drenasi.

“KF Feronikeli njofton që trajneri i deritanishëm, Sulejman Starova, nuk do të mbajë më këtë pozitë, pasi kryesia e klubit ka marrë vendim për shkarkimin e tij”.

“Arsyeja e largimit të tij janë rezultatet e dobëta të treguara përgjatë kohës sa ishte duke udhëhequr me klubin”, thuhet në njoftimin e Feronikelit.

Pas shkarkimit të Starovës, nuk ka vonuar shumë edhe emërimi i trajnerit të ri dhe ai është shqiptari nga Maqedonia, Zekirija Ramadani, i cili edhe më parë ka udhëhequr me klubit drenicas dhe Trepçën ’89, ku u shpall kampion.

“Klubi njofton që ka arritur marrëveshje me trajnerin e mëparshëm të Feronikelit, Zekirija Ramadani, i cili do ta udhëheqë klubin në luftën për titull”.

“Marrëveshja me Ramadanin është arritur dhe ai do ta fillojë drejtimin e klubit brenda pak ditësh”.

“Me këtë marrëveshje klubi synon që t’i rikthejë ditët e arta, meqë Zekirija Ramadani i njeh lojtarët, pritjet dhe nivelin e përgatitjes së skuadrës sonë dhe e di që synimi kryesor i klubit është marrja e titullit të kampionit”, thuhet në njoftimin e Industrialistëve. /Telegrafi/