Klubi futbollistik nga Drenasi, Feronikeli ka bërë ndryshime në shtabin teknik.
Dy herë kampioni i Kosovës në futboll ka shkarkuar gjatë ditës së sotme (e hënë) nga detyra trajnerin shqiptar, Sulejman Starova dhe ka emëruar Zekirija Ramadanin, ashtu siç njoftoi gjatë ditës Telegrafi.
Shkarkimi i Starovës erdhi si shkak i rezultateve jo të mira gjatë kohës sa ishte pjesë e klubit nga Drenasi.
“KF Feronikeli njofton që trajneri i deritanishëm, Sulejman Starova, nuk do të mbajë më këtë pozitë, pasi kryesia e klubit ka marrë vendim për shkarkimin e tij”.
“Arsyeja e largimit të tij janë rezultatet e dobëta të treguara përgjatë kohës sa ishte duke udhëhequr me klubin”, thuhet në njoftimin e Feronikelit.
Pas shkarkimit të Starovës, nuk ka vonuar shumë edhe emërimi i trajnerit të ri dhe ai është shqiptari nga Maqedonia, Zekirija Ramadani, i cili edhe më parë ka udhëhequr me klubit drenicas dhe Trepçën ’89, ku u shpall kampion.
“Klubi njofton që ka arritur marrëveshje me trajnerin e mëparshëm të Feronikelit, Zekirija Ramadani, i cili do ta udhëheqë klubin në luftën për titull”.
“Marrëveshja me Ramadanin është arritur dhe ai do ta fillojë drejtimin e klubit brenda pak ditësh”.
“Me këtë marrëveshje klubi synon që t’i rikthejë ditët e arta, meqë Zekirija Ramadani i njeh lojtarët, pritjet dhe nivelin e përgatitjes së skuadrës sonë dhe e di që synimi kryesor i klubit është marrja e titullit të kampionit”, thuhet në njoftimin e Industrialistëve. /Telegrafi/