Kampioni në fuqi i Kosovës, Feronikeli po i vazhdon përgatitjet para fillimit të ndeshjeve në Ligën e Kampionëve.
‘Industrialistët’, kanë kryer edhe një transferim tjetër për ta forcuar ekipin për edicionin e ri.
Besmir Bojku është larguar nga Shkëndija e Tetovës dhe iu është bashkuar kampionit të ri të Kosovës, Feronikelit.
Lajmi është konfirmuar nga faqja zyrtare e kampionëve të Maqedonisë, Shkëndija nga Tetova.
Kuqezinjtë fillimisht i kanë rinovuar kontratën talentit të tyre deri në vitin 2022 para se ta huazojnë në klubin nga Drenasi.
“KF Shkëndija konfirmon zyrtarizimin e zgjatjes së bashkëpunimit me mesfushorin strugan, Besmir Bojku”.
“Kryesia e klubit dhe futbollisti kanë gjetur akordin për rinovimin e kontratës (3+1) e cila 24 vjeçarin do ta mbajë në taborin kuqezi të paktën deri verën e vitit 2022, me opsion që bashkëpunimi të zgjatet edhe për një vit shtesë”.
“Në të njëjtën kohë të dyja palët kanë vlerësuar se interes i përbashkët në këtë moment është që futbollisti të ketë më shumë hapësira për lojë dhe për këtë arsye klubi vendos që në sezonin garues 2019/2020 Besmir Bojku të luajë në formë huazimi te skuadra kampione e Kosovës, KF Feronikeli”, thuhet në faqen e klubit shqiptar. /Telegrafi/