Site icon Telegrafi

Zyrtare: FBK ia beson Trepçës finalet e Kupës së Kosovës

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) të martën ka marr vendim që Turneu Final i Kupës së Kosovës të organizohet në Mitrovicë nga klubi i basketbollit Trepça.

Në konkursin e hapur nga FBK prej 17 deri më 27 janar 2017 për organizimin e Turneut Final të Kupës së Kosovës, ka konkurruar KB Trepça për të qenë organizatore e këtij eventi.

KB Trepça i ka plotësuar të gjitha kushtet në bazë të Udhëzuesit për organizimin e Turneut Final të Kupës së Kosovës. Turneu Final i Kupës së Kosovës do të zhvillohet më 17 dhe 19 shkurt. Më 17 shkurt do të luhen ndeshjet gjysmëfinale, Bashkimi-Peja dhe Trepça – Sigal Prishtina.

Finalet në të dyja konkurrencat do të zhvillohen më 19 shkurt. Në konkurrencën e femrave tashmë dihen ekipet finaliste, Penza dhe Penti Prishtina.

Duhet theksuar se në kuadër të këtij evenimenti madhështor të basketbollit në Mitrovicë më 19 shkurt do të organizohet edhe Kuvendi i Punës së FBK-së, ku krerët më të lartë të federatës pritet të raportojnë para delegatëve të Kuvendit për punën që është bërë gjatë vitit 2016, raporton FBK.

Fituese të Kupës së Kosovës për edicionin e kaluar janë Sigal Prishtina te meshkujt dhe Penza te femrat.

Ndërkaq  detajet rreth organizimit të Turneut Final të Kupës së Kosovës do të bëhen të ditura të premten, kur edhe pritet të organizohet konferenca e parë për media nga FBK dhe KB Trepça kushtuar Turneut Final të Kupës së Kosovës. Për orën dhe vendin e organizimit të konferencës, mediat do të informohen në ditët në vazhdim.

Exit mobile version