Trajneri Ekrem Memnun do të jetë në krye të Sigal Prishtinës për sezonin 2022/23.
Zyrtarizimi i Memnunit është bërë të premten nga klubi më i trofeshëm në vend.
Memnun rikthehet te Prishtina pas 17 vjetësh. Ai e pati udhëhequr Prishtinën për dy sezone (2003-2005) kurse së fundi ishte në krye të skuadrës së Galatasarayt.
“Ekrem Memnun rikthehet në shtëpinë e kampionëve të cilën e drejtoi për 2 vite (2003-2005). Ai vjen pas një sezoni me skuadrën e madhe turke e Galatasaray tek meshkujt, por me një përvojë të madhe si trajner i Anadolu Efes, trajner i Daruşşafaka, trajner dhe fitues i EuroLeague me Galatasaray (femrat) dhe timonier i kombëtares turke (femrat)”.
“Ai poashtu posedon çmime individuale si: trajner i vitit në Kosovë (2005), trajner i vitit në EuroLeague (2014) dhe trajner i vitit në Superligën Turke (2015)”, thuhet në njoftimin e Prishtinës.
Pas zyrtarizimit te Memnunit, te Prishtina janë paralajmëruar edhe transferimi i lojtarëve vendor dhe të huaj, të cilët do të jenë pjesë e ekipit për sezonin e ri. /Telegrafi/