Telegrafi

Zyrtare: DeMario Mayfield i bashkohet Prishtinës

DeMario Mayfield (Foto: Facebook/KB Prishtina)

Amerikani DeMario Mayfield, i cili mbron ngjyrat e Kombëtares së Irakut, është përforcimi më i ri i ekipit basketbollistik të Prishtinës.

Mayfield që luan në pozitën 2 dhe 3, njihet për lojën e tij efikase në sulm, thuhet në njoftimin e klubit kryeqytetas në Facebook.

Ai filloi karrierën në Gergoia AAA, ku u zgjodh ‘Lojtari i Vitit’, e pas lojërave të mira u ftua nga kolegji i njohur VCU. Mirëpo për të qenë më afër familjes, vendosi që të transferohej te skuadra tjetër e njohur, Charlotte 49ers.

Lexo po ashtu Lajmet për KB Prishtinën

Kur filloi të tregonte aftësitë e tij dhe pritej që të arrinte majat e basketbollit, Mayfield bëri një gabim duke thyer ligjin dhe kështu u dënua për 10 muaj punë për komunitetin, për t’i përmirësuar sjelljet.

Kjo e vetëdijesoi dhe e forcoi edhe më shumë. Për shkak të të kaluarës së tij, të gjithë hezitonin ta merrnin në ekip, por jo edhe ekipi irakian, Oil Club.

Besimi i Oil Club u shpagua, pasi që Mayfield ‘u ringjall’ dhe udhëhoqi ekipin drejt titullit të parë në histori të klubit.

Paraqitjet e tij mbresëlënëse të amerikanit e shtynë Irakun që t’i ofronte nënshtetësi dhe të bëhej një lider edhe i kombëtares së tyre.