Telegrafi

Zyrtare: Carlos Tevez njofton se i ka dhënë fund karrierës

Carlos Tevez edhe zyrtarisht është tërhequr nga futbolli aktiv.

Sulmuesi i famshëm argjentinas ka vendosur t’i jap fund karrierës tejet të pasur që kishte pasi ka një vit që nuk po luan për asnjë skuadër.

Ka qenë vet 38-vjeçari që ka njoftuar se nuk do të luaj më, edhe pse kishte oferta të ndryshme sidomos nga kampionati amerikan MLS.

“Mund ta konfirmoj, unë jam tërhequr nga futbolli. Kam pasur oferta, sidomos nga Amerika, por mendoj se kam dhënë gjithçka. Të luaja vitin e kaluar ishte e vështirë për mua por për fat të mirë isha pranë babait tim”.

“Tashmë, ai nuk është më dhe në vendimin për t’u tërhequr ndikon edhe ky fakt, pasi babai ishte fansi im numër një. Së fundmi, kam shijuar ushqimet por edhe pijet, më së shumti verë dhe fërnet, tani nuk kam angazhime sportive dhe kam liri përsa i takon dietës ushqimore”.

“Vazhdoj të kujdesem për veten por kam shtuar tre apo katër kile, zgjohem vonë dhe tashmë nuk e imagjinoj më si është të shkosh çdo mëngjes në stërvitje. Unë shkoja gjithnjë në orën 6 të mëngjesit dhe largohesha i fundit nga qendra stërvitore, por tani nuk kam më fuqi për të ndjekur një rutinë të tillë”, u shpreh Tevez.

Tevez ka pasur një karrierë shumë të pasur duke luajtur për Boca Juniors në Argjentinë, Corinthians në Brazil, pastaj në Evropë ka veshur edhe fanellat e West Ham United, Manchester United, Manchester City dhe Juventusit.

Ai ka provuar edhe aventurën kineze për një vit te Shanghai Shenhua para se të luante tri vietet e fundit për Boca Juniors në Argjentinë.

38-vjeçari ka zhvilluar 76 ndeshje zyrtare me Argjentinën ku ka shënuar edhe 13 gola. /Telegrafi/