Telegrafi

Zyrtare: Blendi Idrizi rinovon kontratën me Schalken

Mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës, Blendi Idrizi ka nënshkruar sot (e enjte) rinovimin e kontratës së tij me Schalken edhe për tri vite tjera dhe ndihet i lumtur me vlerësimin e bërë nga klubi i madh gjerman.

Klubi i madh gjerman, Schalke 04 ka siguruar të ardhmen afatgjatë të një tjetër lojtari. Bëhet fjalë për mesfushorin e Kosovës, Blendi Idrizi, i cili ka vazhduar kontratën e tij edhe për një vit për ta mbajtur atë në klub deri në vitin 2024.

Idrizi është rikthyer në Gelsenkirchen këtë javë pas paraqitjes për Kosovës gjatë pushimeve të fundit ndërkombëtare dhe ishte shumë i lumtur për zgjatjen e kontratës së tij.

“Klubi ka treguar shumë besim tek unë gjatë muajve të fundit dhe më dha mundësinë të bëj kërcimin nga divizioni i katërt në të dytin”.

“Unë jam vërtet mirënjohës për këtë dhe dua të jap gjithçka në vitet e ardhshme për të ndihmuar që Schalken të inkuadrohet edhe një herë në ligën më të mirë”, ka thënë Idrizi pas rinovimit të kontratës.

Mesfushori, i lindur në Bon, ka luajtur për akademitë e të rinjve të Bonner SC dhe FC Koln. Pas periudhave në BW Friesdorf, Alemannia Aachen dhe Fortuna Koln, 23-vjeçari u transferua në U23 të Schalke në vitin 2020.

Ai bëri debutimin e tij me ekipin e parë në Bundesligë majin e kaluar pas paraqitjeve të mira në Regionalliga dhe shënoi golin e tij të parë profesional një javë më vonë.

Më pas, Idrizi  ka bërë ndeshjen e parë për Përfaqësuesen e Kosovës dhe ka luajtur katër herë për ta gjithsej. Këtë sezon, Idrizi është paraqitur 17 herë në kampionat, duke shënuar një gol. /Telegrafi/