Site icon Telegrafi

Zyrtare: Bekim Balaj rikthehet në futbollin turk, prezantohet te Boluspor

Bekim Balaj është bërë me skuadër të re pas largimit nga ekipi rus i Nizhny Novgorod.

Sulmuesi shqiptar kishte shkëputur me marrëveshje kontratën me ekipin rus dhe tanimë është anëtari më i ri i skuadrës turke Boluspor.

Pas 11 viteve Balaj rikthehet në futbollin turk, pasi nga viti 2010 deri më 2011 kishte bërë karrierë me Genclerbirligin në Superligën e Turqisë.

Balaj tanimë është prezantuar tek skuadra turke që bën gara në Ligën e Parë, por që nuk janë dhënë detaje shtesë sa i përket kontratës së futbollistit.

Tek kjo skuadër, Balaj do të bëhet shqiptari i katërt pasi aty janë edhe portieri Gentian Selmani si dhe mesfushorët anësorë Dejvi Bregu e Odise Roshi.

Boluspor kishte synime të mëdha për tu inkuadruar në elitë, por aktualisht zë vendin e 13-të me 24 pikë, vetëm dy më shumë se zona që i dërgon në Ligën e Tretë të Turqisë. /Telegrafi/

Exit mobile version