Site icon Telegrafi

Zyrtare: Barcelona konfirmon transferimin e sensacionit Vitor Roque, i vendos klauzolë marramendëse

Barcelona ka konfirmuar zyrtarisht nënshkrimin me sulmuesin brazilian 18-vjeçar, Vitor Roque nga Athletico Paranaense.

Talenti brazilian do të nënshkruajë një marrëveshje shtatëvjeçare me Barcelonën, e cila do të paguajë 30 milionë euro kosto fikse dhe 31 milionë euro tjera bonuse për skuadrën braziliane.

“FC Barcelona dhe Club Athletico Paranaense kanë arritur marrëveshje për transferimin e lojtarit Victor Hugo Roque Ferreira, i njohur më mirë si Victor Roque”.

“Lojtari pritet t’i bashkohet klubit për sezonin 2024/25 dhe do të nënshkruajë kontratë deri në sezonin 2030/31 me një klauzolë blerjeje prej 500 milionë euro”, thuhet në njoftimin e Barcelonës.

Roque ka luajtur në nivelin elitar brazilian dhe ka shënuar 22 gola e 9 asistime për Athletico Paranaense. Ai ishte sulmuesi i tyre titullar dhe ka shtuar edhe 5 gola dhe 3 asistime në 13 paraqitje në Copa Libertadores.

Thashethemet e para për interesimin e Barcelonës për të u shfaqën në fund të vitit 2022, dhe rreth nëntë muaj më vonë, ata kanë mposhtur interesimin e Ligës Premier për Roque për të siguruar nënshkrimin e tij. Mendohet se ai ka refuzuar oferta më fitimprurëse për t’u bërë lojtar i Barcelonës.

Ai do ta bëjë këtë vetëm sezonin e ardhshëm, kryesisht për t’i dhënë kohë Barcelonës për të lënë hapësirë ​​në kufirin e pagave për ta regjistruar atë.

Roque është caktuar si numri nëntë i ardhshëm i Barcelonës dhe do të arrijë të mësojë nga Robert Lewandowski përpara se të marrë frenat nga sulmuesi polak. /Telegrafi/

Exit mobile version